Përshkrim
Prof. Dr. Lufter Xhuveli, një intelektual dhe atdhetar i shquar na rrëfen të vërtetat e veta përmes kujtimesh, mbresash dhe refleksionesh, që burojnë nga marrëdhënia e drejtpërdrejtë me liderët më të lartë të shtetit shqiptar, duke i sjellë ata jo vetëm si figura të larta politike, por si njerëz me dobësitë dhe virtytet e tyre të veçanta. Ky libër është një dëshmi e gjallë dhe autentike e historisë sonë më të afërt, e shkruar nga një njeri që nuk ka qenë vetëm dëshmitar, por shpesh edhe protagonist i saj, duke na paraqitur një tablo të rrallë e të sinqertë të shtatë dekadave të fundit të Shqipërisë.
Dr. Bujar Leskaj. Deputet
Një libër që duhej shkruar, aspak befasues për ne që e njohim autorin, por mëse i dobishëm për këdo që personazhet publike i njohin vetëm nga media. Një ballafaqim kalorsiak, me të vërteta, strategji jete dhe fakte të admirueshme. Kujtime mbreslënëse për dy epoka të shkruara kthjellët, përjetime që pas vitesh do të duken surreale. Profesor Xhuveli shquhet për stilin e tij plot buket!
Prof. Dr. Rexhep Uka
“Skena dhe Prapaskena”, një monografi e veçantë, kontribut për historianët dhe leksion për politikanët, nxjerr në dritë me fakte dhe dëshmi të dorës së parë ngjarje, personazhe dhe sekrete të panjohura, nëpërmjet rrëfimit autentik të njërit prej protagonistëve më emblematikë të periudhës para dhe pas viteve 1990. Personazhi kryesor, Lufter Xhuveli, një akademik novator, politikan ekuilibrues, shtetar atdhedashës dhe qytetar shembullor, na tregon me sinqeritet se si në rrugëtimin e tij plot sfida, idealizmi, etika, morali, djersa dhe përkushtimi për interesin publik arrijnë të triumfojnë përballë kurtheve të meskinitetit, mediokritetit, hipokrizisë dhe çdo forme tjetër të ligësisë, pavarësisht postit dhe kohës kur zhvillohen ngjarjet.
Arben Çejku, shkrimtar, anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë
Libër që të rrëmben në kohët dhe hapësirat historike shqiptare në dy shekujt ku shtrihen vitet e Xhuvelit. Shkruar qartë dhe me vërtetësi. I përpiktë, i vëmendshëm, jashtëzakonisht i detajuar, emocional, i sinqertë dhe po aq i kujdesshëm, Lufter Xhuveli risjell veten në “Skena dhe prapaskena”. Të mahnitin “skalitjet publicistike” dhe ndriçimi i “hijeve” të të gjithë karaktereve politike, që nga vitet e pasçlirimit. Askush tjetër i këtij brezi nuk ka mundur të sjellë një bankë-provë si ky libër. I shkruar bukur, me elegancë, me ndjenjë, përleshje mendimesh, ide e qëndresë, por edhe me humor të hollë, rrëfehet një jetë me beteja e përplasje në cirkun politik të pushtetit. Libër me ndriçim të brendshëm, që mbetet në mendje e ringjall debat mes brezave!
Shefqet Meko, shkrimtar. Minneapolis, SHBA