Përshkrim
“…Dinamikat e ndërlikuara politike, kishtare dhe kombëtare të trajtuara në relacione pasqyrojnë një periudhë të ngarkuar me tensione e vendime të vështira, ku figura si Nigris dhe kleri vendas vepruan në kufijtë e mundësive dhe bindjeve të tyre. Dokumentet dhe dëshmitë e kohës na ndihmojnë të kuptojmë më thellë jo vetëm përplasjet mes individëve dhe institucioneve, por edhe sfidat me të cilat përballej vetë identiteti katolik dhe kombëtar në Shqipërinë e pushtuar.
Ftoj lexuesin që, me një mendje të hapur dhe sy kritik, të ndjekë rrëfimin e këtyre ngjarjeve dhe të formojë gjykimin e vet mbi këtë faqe komplekse të historisë sonë.”
Dom Vlash Palaj, Famullitar i Shkodrës
_____________________________________
“…Përmbledhja përmban një numër të madh faktesh të panjohura dhe të paregjistruara me aq saktësi kronologjike sa i ka regjistruar ai, në dokumentet historike, por edhe një analizë profesionale dhe mjaft të hollë të realitetit dhe çdo ngjarjeje të kohës së luftës. Në sitën e hollë të këtij dëshmitari të kualifikuar dhe të “pamëshirshëm” në rrëfimin e së vërtetës për këdo, do të thoja, kanë kaluar të gjithë, siç ishin, njerëz me të mira dhe cene, faje të vetëdijshme dhe naive, mëkatarë të zgjuar dhe dinakë, fajtorë të rastësishëm të marrë para prej rrymave të marrëzive të kësaj kohe tatëpjetash, kolaboracionistë rastësorë dhe antifashistë jo-komunistë, pacifistë largpamës dhe çlirimtarë të vendosur, komunistë rrënimtarë, liridashës të sinqertë, idealistë dhe të përkushtuar, sakrifikues, shpëtimtarë por edhe bashkëpunëtorë puthadorë të Titos, që rrënuan bashkimin nacional dhe të gjithë elitën e vjetër që ndërtoi Shqipërinë etnike me “Tokat e Lirueme” në shtet në vitin 1941-1945, etj. etj…”
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
(shkëputur nga parathënia)