Description
Republika Baritore e Babzilandit, në jug të arqipelagut të Feletripit,
u përfshi këto ditë nga rënia akute e brirëve. Shkaku i rënies së tyre nuk është mësuar, por besohet se kjo mund ta çojë republikën e vogël drejt një kolapsi të pashmangshëm. Autoritetet e Babzilandit po përpiqen ta mbajnë sekret këtë histori
të çuditshme.
* * *
I mbetur pa lavdi e pa brirë, Kryebariu për netë të tëra kishte gërmuar kthinave të instinktit për të realizuar deri në fund procesin e depersonalizimit të individit, tjetërsimin e dhunshëm që vjen përmes heshtjes kolektive, kokës së ulur, servilizmit dhe babëzisë, si habitati që ushqen paprerë represionin e pamëshirshëm dhe fatal të vesit.
* * *
Margitën dhe Xhonin, dy anëtarët e nderuar të republikë-fermës Horatio, i lanë të vdesin në Republikën Baritore të Babzilandit, pa asnjë fije kujdesi, mirënjohjeje, dashurie dhe respekti. Këshilli i Lartë i Barinjve, nuk përmbushi as edhe një kërkesë për të drejtat e liritë e kafshëve. Me shqetësim të thellë vërejmë se Republika e Babzilandit, përpos njerëzve, si një tentativë për të mbajtur pushtetin, përdor në mënyrë paradoksale edhe kafshët. Këtë fat e pësuan mbi kurrizin e tyre Margita e Xhoni të cilët ndërruan jetë mbrëmë, ndërsa në dhomën e hotelit po shkruaja këtë artikull.