Description
“Kam shkru nji libër që s’kam mujtë mos me e shkru. Kam shkarravitë nji libër duke qenë i mbushun me dyshime, që kohët e fundit më kanë vizitu nga të tana anët. Kam kurdis nji libër gjatë kohës kur jam ndie si fotograf, me kryet e zhytyn në nji thes të zi, që ishte paradhoma e nji kutie të errët. Brenda kësaj kutie më asht përmbysë bota, më kanë ba laradasha imazhet.
Kam hartu nji libër duke dashtë me i ngjasu atij kalimtarit të vetmuem që zbulon, përndjek, lundron në ferrin urban dhe që e zbulon qytetin si nji peizazh vesesh epshore.
E di se të fotografosh njerëzit do të thotë t’i dhunosh ata… prandaj personazhet e mia nuk i kam vu kurrë që të marrin pozë. Kësisoj kam fiksu energjinë e pakontrollueme, dinamikat e lëvizjes dhe shpesh edhe situatat e tyne karikatureske.
Siç thotë Susan Sontag të libri i vet mbi fotografinë ”Aparati fotografik asht nji sublimim i armës, të fotografosh dikë është nji vrasje e pandërgjegjshme, nji vrasje e butë, e përshtatshme për nji kohë të trishtuar dhe plot ankth…”
E kam zgjedhë me ndërgjegje këtë rrugë duke dashtë t’i shmangem sa ma shumë që të ishte e mundun poezive sentimentaliste, erotike dhe qarramane, territore në të cilat janë arritë rezultate të jashtzakonshme dhe të pakapërcyeshme.
Me këtë rast kam dashtë të eksploroj disa përmbajtje të reja që më kanë rrethu, me shpresën se janë përmbajtjet e reja ato që do më çojnë drejt formave të reja.”
Autori